Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës për korrupsion së dy pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, ku ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me partinë e tij, po e sfidojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Ajo theksoi se përkundër aferave të shumta korruptive që kanë dalë në sipërfaqe, Kurti po përdor standarde të dyfishta në raport me drejtësinë.
‘’Po e shohim se Kurti me partinë e vet e sfidon drejtësinë. Me gjithë këto afera korruptive që kanë ne e pamë edhe rastin e Kurtit që dëshmoi kur ishte puna për ofendimet që u janë bërë, ndërsa për rastin e rezervave shtetërore nuk shkoi të dëshmojë duke treguar jo standarde të dyfishta por të trefishta, për të ligji është siç i konvenon atij dhe partisë së tij’’, tha Kadrijaj për “Front Online”.
Sipas saj, veprimet e Kurtit po tregojnë përpjekje për të mos respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Ky dëshiron kaos, tenton të krijojë situata që qytetarët të mos e përfillin ligjin’’, tha Kadrijaj.
Sipas deputetës Mujka dhe Muzliukaj është dashur të japin dorëheqje nga detyrat e tyre aktuale.
Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)




