Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle dhe bastisje të reja në rajonin e Mitrovicës së Veriut, në kuadër të hetimeve të vazhdueshme për posedim të paautorizuar të armëve. Aksionet janë ndërmarrë në dy lokacione në komunën e Zveçanit, ku janë sekuestruar armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake.
Personi i dyshuar, S.G., 73 vjeç, është arrestuar dhe pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë në qendrën e mbajtjes. Ndaj tij është iniciuar rasti penal për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia rajonale apelon te qytetarët që të respektojnë ligjin dhe të dorëzojnë armët e paautorizuara.
“Çdo armë e cila mbahet pa leje të vlefshme konsiderohet e kundërligjshme, prandaj qytetarët inkurajohen të paraqiten në stacionet policore për të kryer procedurat për vazhdimin e lejeve të armëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.




