Polonia ka vendosur kufizime në trafikun ajror përgjatë kufijve të saj lindorë me Bjellorusinë dhe Ukrainën, njoftoi të enjten Komanda Operative e Forcave të Armatosura.
Polonia rrëzoi dronë të dyshuar rusë në hapësirën e saj ajrore mëngjesin e së mërkurës me mbështetjen e avionëve të aleatëve të saj të NATO-s.
Kjo ishte hera e parë që një anëtar i aleancës ushtarake perëndimore ka hapur zjarr gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Me kërkesë të Komandës Operative të Degëve të Forcave të Armatosura , do të vendosen kufizime në trafikun ajror në pjesën lindore të Polonisë në formën e zonës së kufizuar EP R129”, tha Agjencia Polake e Navigimit Ajror në një komunikatë të publikuar të mërkurën në mbrëmje.
Kufizimet u futën në fuqi të mërkurën në mesnatë dhe do të zbatohen deri më 9 dhjetor, tha ajo.
Kufizimet nuk vlejnë për fluturime ushtarake dhe disa fluturime të posaçme me mision të caktuar dhe thirrje të veçanta.
“Nga perëndimi deri në lindjen e diellit ka një ndalim të plotë fluturimesh, me përjashtim të avionëve ushtarakë… Në zonën EP R129 ka një ndalim 24-orësh për fluturimet e mjeteve ajrore civile pa pilot”, tha agjencia.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se dronët e saj kishin kryer një sulm të madh ndaj objekteve ushtarake në Ukrainën perëndimore, por nuk kishte planifikuar të godiste asnjë shënjestër në Poloni.




