Në Muajin Ndërkombëtar të Parandalimit të Vetëvrasjeve, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se shëndeti mendor nuk duhet të jetë temë që heshtet, por një prioritet i përditshëm, ndërsa ka theksuar se parandalimi i vetëvrasjeve është përgjegjësi e secilit.
“Pata nderin t’i bashkohesha nismës ‘Linja e Jetës’, për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë kauzë të rëndësishme. Sot dhe çdo ditë riafirmojmë përkushtimin tonë për të ndërtuar një shoqëri ku dhimbja nuk mbulohet me heshtje dhe ku çdo njeri ndjen se kurrë nuk është vetëm. Shëndeti mendor nuk duhet të jetë temë që heshtet, por prioritet i përditshëm”, tha presidentja.
Përmes një video-mesazhi, ajo theksoi se çdo histori ka rëndësi dhe se asnjë dhimbje nuk duhet të mbetet në heshtje.





