Drejtori ekzekutiv i Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka numrat për të formuar qeverinë dhe se bllokada politike që është krijuar është shkaktuar pikërisht nga kjo parti.
Ai tha në intervistë për Ekonomia Online se në sistemin parlamentar të Kosovës marrëveshja politike është e domosdoshme, ndërsa, sipas tij, Vetëvendosje nuk po synon as marrëveshje dhe as zgjedhje.
“Është e qartë që LVV-ja as nuk i ka numrat e as nuk po tenton që t’i bëjë numrat. Çdo vend në botë që ka sistem të demokracisë parlamentare të tillë çfarë e kemi ne, që është proporcional e jo mazhoritar, siç e kanë disa vende, marrëveshja politike mes partive është e domosdoshme”, ka thënë Imeri.
Ai shtoi se VV po e mban bllokadën për të fshehur faktin që nuk ka mbështetje të mjaftueshme.
“Nuk mund ta bësh qeverinë as në Kosovë, as askund tjetër duke u përvjedhur 48-shin nuk mund ta shndërrosh në 61, përveç nëse bën marrëveshje me dikë që i ka deputetët e tjerë dhe kjo ka qenë e udhës prej fillimit për VV-në, të cilën ata e kanë minuar me sjelljen e vet politike, tensionimin që e kanë shkaktuar, këtë ndarje të shoqërisë që e kanë shkaktuar, deklarimet e tyre e kështu me radhë”, tha ai.
Në lidhje me perspektivën e procesit politik, Ymeri tha se vendi është më afër zgjedhjeve se çdo zgjidhjeje tjetër. Pasi që VV-ja nuk po do partneritet dhe kur nuk do partneritet nuk mundesh edhe të mbërritësh një situatë të tillë.
“Ky proces mendoj unë që do të jetë mësim për të gjitha partitë politike, që as nuk munden me shty me zor, as nuk munden me shkel Kushtetutën, por duhet të bëjnë një gjë, që është normale në krejt botën demokratike e ajo është marrëveshja, kompromisi drejt arritjes së qëllimeve politike”, ka thënë Ymeri.




