Bashkimi Evropian e ka shpalosur të mërkurën planin e tij më të ashpër deri tani për t’i bërë trysni Izraelit që ta përfundojë luftën në Rripin e Gazës, ku palestinezët po detyrohen të ikin nga tanket, dronët dhe trupat izraelite që po futen gjithnjë e më thellë në enklavën bregdetare të shkatërruar nga lufta gati dyvjeçare.
Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, u bëri thirrje 27 vendeve anëtare t’i rrisin tarifat ndaj disa mallrave izraelite dhe të vendosin sanksione ndaj 10 drejtuesve të Hamasit, kolonëve izraelitë dhe dy anëtarëve të kabinetit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu: ministrit për Siguri Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe ministrit të Financave Bezalel Smotrich.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ne po i propozojmë këto masa jo për ta ndëshkuar Izraelin apo popullin izraelit, por për të ushtruar trysni mbi Qeverinë izraelite që të ndryshojë kurs dhe t’i japë fund vuajtjeve të njerëzve në Gazë”, tha Kallas.
“Lufta duhet të përfundojë, vuajtjet duhet të ndalen dhe të gjitha pengjet duhet të lirohen”, shtoi ajo.
Sanksionet do të nënkuptonin ngrirje të aseteve të individëve në Evropë dhe do t’ua ndalonin atyre udhëtimin brenda BE-së.
BE-ja është partneri më i madh tregtar i Izraelit, prandaj tarifat mund të kenë pasoja të mëdha në ekonominë izraelite, e cila tashmë është tronditur nga kostoja e një lufte të gjatë.
Rreth 32 milionë euro fonde dypalëshe të kontrolluara nga Komisioni Evropian do të pezulloheshin menjëherë. Komisioni gjithashtu e mbështet edhe Autoritetin Palestinez.
Izraeli mohon se në Gazë ka bie buke dhe thotë se lejon hyrjen e ndihmave të mjaftueshme humanitare.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i dërgoi një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke u zotuar se Izraeli nuk do t’i nënshtrohet fushatës evropiane.




