Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime është duke vazhduar, derisa votimi më postë jashtë Kosovës zyrtarisht ka nisur me datën 17 shtator. Deri me tani, më shumë se 15 pako individuale me fletëvotime janë dërguar jashtë Kosovës si dhe me mijëra të tjera pritet që të dërgohen deri në fund të javës.
“KQZ synon që brenda javës të përmbyllë procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 44 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale. Është hera e parë që KQZ i ka dhënë vetes detyrë që shtetasve të cilët regjistrohen për të votuar përmes postës, të i’a dërgoj përmes postës pakon me nga dy fletëvotime: një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal”, tha Elezi.
Sipas Elezit, ndonëse votuesit jashtë Kosovës nuk i kanë pakot me fletëvotime në kohën e fillimit të votimit, afati i mbetur për të votuar prej më shumë se 20 ditësh është i mjaftueshëm, pasi KQZ ka hapur kutitë postare në dhjetëra shtete të ndryshme të botës.




