Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temën “Arsimi gjatë gjithë jetës: qasje gjithëpërfshirëse nga fëmijëria e hershme deri te arsimi profesional” ka bashkuar ekspertë për të diskutuar qasjet moderne në edukim dhe rëndësinë e përfshirjes së të gjitha grupmoshave në procesin arsimor, raporton Ekonomia Online.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë kësaj konference tha se nëntemat e konferencës përputhen me prioritetet e Ministrisë, si zhvillimi i edukimit në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i kurrikulave e menaxhimi cilësor i institucioneve arsimore, ndër tjerash.
“Gjashtë nëntemat e kësaj konference, që do të pasurohen nga kontributet tuaja, përputhen me vizionin dhe veprimet tona në Ministrinë e Arsimit: zhvillimi dhe avancimi i edukimit në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i kurrikulave, zbatimi i parimeve të gjithëpërfshirjes në arsim, menaxhimi cilësor i institucioneve arsimore, zhvillimi dhe avancimi i karrierës së mësimdhënësve, digjitalizimi dhe arsimi profesional”, theksoi Nagavci, raporton EO.
Ministrja në detyrë bëri thirrje për bashkëpunim.“Le ta shohim arsimin gjatë gjithë jetës si një udhëtim të përbashkët. Të punojmë së bashku për të zhvilluar reformat e nevojshme, duke u mbështetur në të dhëna dhe në kërkime të thelluara shkencore, sepse ky është thelbi i zhvillimit tonë”, tha Nagavci.




