Ish eprori i UÇK-së, njëherit kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti edhe njëhere i ka quajtur të pakuptimta akuzat me të cilat po ngarkohen ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Ahmeti nuk i komentoi shumë raportet me kryeministrinë në detyrë Albin Kurti por theksoi se Kosova ka përgjegjësi për ish-krerët meqenëse ata kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe drejtësia duhet të vendoset në vend, kjo është një luftë tepër e organizua nga lindja për të luftuar perëndimi, Shtete e bashkuara të Amerikës, Naton, Bashkimin Evropian se ato kanë përkrahur ushtri të cilat kanë bërë krime, njerëz të dezorientu e të paorganizuar. Mirëpo vetë dëshmia e zëvendëssekretarit të shtetit, vetë dëshmia e këshilltarit të Rambujesë dhe dëshmitë tjera që do të pasojnë do të nxjerrin në pah një të vërtetë, një e vërtetë e cila nuk mund të mohohet nga askush ky proces ka filluar keq, në mënyrën më tendencioze me librin e verdhë. Kur u pa që libri i verdhë është një përrallë me mbret vetëm e vetëm për të komprementu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, atëherë ndryshoi akuza, në një akuzë të pakuptimtë, ndërmarrje kriminale, kështu që unë jam shumë i bindur që e drejta do të fitojë e do të dalë në shesh”, tha Ahmeti kur u pyet nga gazetarët pasi u përurua shtatorja e Afrim Zhitisë në Llugë të Podujevës.
Për heshtjen e institucioneve të Kosovës ndaj procesit gjyqësor në Hagë, ai tha se të gjitha atë që po gjykohen nuk ishin njerëz të rëndomtë.“Unë nuk di detaje por Kosova ka përgjegjësi.Fundi i fundit andej janë njerëzit që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Nuk janë njerëz të rëndomtë por janë njerëz që kanë mbajtur mbi shpatulla përgjegjësi deri në çlirim por edhe deri në pavarësi të Kosovës”, deklaroi Ahmeti.E sa i përket raportit me Kurtin, ai tha se gjithmonë ka krijuar raporte me institucionet e Kosovës.“Unë asnjëherë s’kam pasë raport të keq me asnjë institucion, asnjë udhëheqës të Kosovës. Varet nga të tjerët se si i ndërtojnë ato raporte, por unë raportet i kam pasë gjithmonë me institucionet e Kosovës”, u përgjigj Ahmeti.




