Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka kritikuar qeverinë dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për qëndrimin e tyre ndaj procesit gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gucati tha se reagimet e qeverisë kanë qenë të vonuara dhe pa ndjenjë të vërtetë.
Ai shprehu zhgënjim ndaj mosreagimit të institucioneve në kohën kur zyrtari amerikan James Rubin kishte bërë deklarata të forta kundër Gjykatës Speciale.
“Ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin, por këta nuk janë duke na nderuar, përkundrazi po na fyejnë shumë, siç juve gazetarëve, neve pak më tepër, neve na thonë se je bashkëpunëtor me Serbinë. Mua sidomos më kanë thënë edhe shokët e mi. Kanë gabuar që nuk kanë dalë më herët me deklarata, pikërisht kur ishte James Rubin, që ka dhënë deklarata bombastike, që ka bombarduar Gjykatën Speciale”, theksoi ai.
Ai “thumboi” ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin që tha në konferencën për media se gjykata është e padrejtë e uron që ish – krerët të dalin të pafajshëm.
“Është dashtë të dalë nesër me falënderuar Amerikën. Tani është koha e zgjedhjeve dhe sot del Hekuran Murati thotë: Dhashtë Zoti të dalin më shpejtë, është gjykatë e padrejtë. Ne e dimë që ka qenë gabim që është votuar, por dil më herët dhe përshëndete mikun që na ka ndihmuar në ditë të vështira, të paktën falënderim. Ku është i zoti i shtëpisë, ku është kryeministri i vendit tim? Duhet të dalin në emër të qytetarëve, sepse ata që po gjykohen janë qytetarë të Kosovës. Atje nuk po dënohet Hashim Thaçi, as baci Jakup, por dënohet UÇK-ja dhe Kosova. Këtë pafytyrësi ta bën Albin Kurti, fatkeqësisht ka qëlluar kryeministër i vendit”, shtoi kryetari.




