Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më datës 12 tetor 2025.
AIP kërkon të respektohen të drejtat e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt.
Sipas AIP për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga partitë politike dhe subjektet e përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon zbatimin e detyrimeve ligjore dhe ndërmarrjen e veprimeve si në vijim:
-Të sigurojnë çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj,
-Të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik dhe të mos ekspozohen të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail, mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak).
Fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet e 12 tetorit ka nisur më 13 shtator.





