Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
PDK u dënua pas gjuhës fyese të përdorur nga anëtari i saj njëherit edhe kandidati për kryetar të Komunës së Skënderajit, Sami Lushtaku.
Lushtaku në një tubim me qytetarët të datës 19.09.2025, kishte përdorur gjuhë të papranueshme kundrejt Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
PDK për këtë veprim të Lushtakut u dënua me 5,500€
“Qeveri më të poshtër, një Qeveri më mashtruese, Qeveri më antikombëtare nuk besoj që ka me pasë Kosova” – kishte thënë Lushtaku.
Kurse partia LDK, u dënua pasi që Përparim Rama ka publikuar një video të titulluar “Ekskluzive! Sonte në orën 20:00 në T7”, në video në të cilën ai shfaqet në zyrën e tij në Komunën e Prishtinës duke shpërndarë informacione rreth programit të tij zgjedhor.
Sipas PZAP-së, Rama ka përdorur ambientet e brendshme të Komunës së Prishtinës gjatë fushatës zgjedhore për përfitim të votave.
Për këtë veprim të Ramës, LDK u dënua me 2,500€, por dënimi poashtu obligon Përparim Ramës të largon videon nga rrjetet sociale.
Për veprimet e Sami Lushtakut ishte ankuar Lëvizja Vetëvendosje, kurse për veprimet e Përparim Ramës ishte ankuar Partia Demokratike e Kosovës.




