Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar të mërkurën një operacion të gjerë policor në regjionet e Prishtinës dhe Pejës, nën emrin “Qielli i Thyer”, ku si rezultat janë arrestuar 7 persona të dyshuar për krim të organizuar, narkotikë dhe pastrim parash.
Sipas komunikatës zyrtare, operacioni është realizuar në 25 lokacione të ndryshme. Të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e komunikimit të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet kriminale.
Gjatë kontrollit në këto lokacione janë sekuestruar provat dhe pasuritë si :638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë, një peshore për matjen e lëndëve narkotike, 11,065 euro para të gatshme, 34 automjete, shtatë armë zjarri, dokumente personale me identitet të rremë, pajisje elektronike, dokumentacion pronësor dhe financiar.




