Dogana e Kosovës sot i dorëzoi certifikatën e Operatorit Ekonomik të Autorizuar kompanisë GNTC Group SH.A., duke u bërë kështu kompania e 13-të në vend që fiton këtë status të rëndësishëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, me këtë rast tha: “Me dorëzimin e certifikatës AEO për GNTC Group SH.A., po fuqizojmë partneritetin mes Doganës dhe biznesit, duke krijuar një mjedis më të sigurt, më transparent dhe më konkurrues për kompanitë tona në tregjet ndërkombëtare.”
Ky certifikim është një arritje e madhe si për kompaninë, ashtu edhe për vetë administratën doganore, pasi statusi AEO është një garanci për besueshmëri, transparencë dhe respektim të plotë të rregullave doganore dhe fiskale.
Me këtë certifikim, GNTC Group SH.A. do të përfitojë nga një sërë lehtësirash në procedurat doganore, përfshirë:
– Prioritet në zhdoganime dhe kontrolle;
– Lehtësira në procedurat e thjeshtuara;
– Mundësi për qasje më të shpejtë në tregjet ndërkombëtare.





