Në vitin që shkoi, në Kosovë janë regjistruar 548 raste të reja me tuberkuloz, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në Ditën Botërore të Mushkërive, Ministria ka theksuar se kjo sëmundje mbetet një sfidë e rëndësishme për shëndetin publik.
“Edhe në Kosovë, tuberkulozi mbetet sfidë për shëndetin publik. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 548 raste me një incidencë prej 34.3 për 100,000 banorë. E ritheksojmë se diagnostikimi dhe trajtimi i tuberkulozit ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore të vendit tonë. Përveç tuberkulozit, sëmundjet e tjera të organeve të frymëmarrjes, përfshirë astmën dhe bronkitin kronik, vazhdojnë të jenë shkaktarë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.”, thuhet në postimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook.
Dita Botërore e Mushkërive, që në Kosovë po shënohet me moton “Mushkëri të shëndetshme, jetë e shëndetshme”, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjet që prekin mushkëritë dhe ndikimin e tyre në jetën e miliona njerëzve në botë.




