Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar bizneset se nga 9 qershori 2025, regjistrimi fillestar I shoqërive tregtare në Republikën e Kosovës është mundësuar edhe përmes platformës E-Kosova.
Ky hap është bazuar në Vendimin nr. 299 të datës 05.06.2025, të nxjerrë nga Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.
Regjistrimi përmes platformës e-Kosova do të jetë plotësisht online, duke përfshirë aplikimin, miratimin e lëndës dhe lëshimin e certifikatës elektronike, pa pasur nevojë që aplikuesit të paraqiten fizikisht në sportelet e ARBK-së apo Qendrave Komunale të Biznesit thuhet në njoftim.
Ndërkohë, sistemi ekzistues e-Regjistri i Biznesit do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë pjesërisht elektronike: aplikimi dhe miratimi do të bëhen online, por certifikata do të merret në sportelet përkatëse.
Përmes e-Kosova, bizneset do të kenë gjithashtu qasje të plotë elektronike në informata dhe historikun e tyre biznesor, pa pasur nevojë për vizita në sportelet e ARBK-së, thuhet në njoftimin e MINT.




