Partitë politike po vazhdojnë fushatën për zgjedhjet lokale, derisa kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga dita kur qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur Kryetarët e Komunave dhe anëtarët e Kuvendeve Komunale që do t’i përfaqësojnë ata në katër vitet e ardhshme.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, katër javë pas votimeve të 12 tetorit, do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, e që sipas kalendarit i bie të jetë data 9 nëntor 2025, ligj i cili ka mbetur i njëjtë që kur u miratua në 2008-ën, dhe rrjedhimisht e njëjtë ka mbetur edhe mënyra e zgjedhjes së kryetarëve dhe anëtarëve të Kuvendeve Komunale.
Por çka është balotazhi ?
Balotazhi apo raundi i dytë i votimeve është përcaktuesi për Kryetarin e Komunës.
Kandidatët që nuk kanë arritur 50%+1 të votave në raundin e parë, atëherë Komuna shkon në raundin e dytë të votimit.
Në raundin e dytë (balotazh), shkojnë 2 kandidatët më të votuar në raundin e parë, dhe fituesi përcaktohet se do të jetë Kryetari i ri i Komunës.
Balotazhi është mënyra që ka përcaktuar kryetarët e komunave në shumë zgjedhje, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, vetëm 17 nga 38 komuna kanë zgjedhur kryetarët në raundin e parë, kjo kishte bërë që në 21 komuna tjera të shkohet në raundin i dytë.
Zakonisht raundi i dytë ka përcaktuar “rikthimin” e ndonjë partie në pushtet komunal apo edhe “rrëzimin” e një pushteti shumëvjeqar në një komunë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk i është nënshtruar reformës zgjedhore, ashtu siç ka ndodhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, prandaj disa çështje që janë të përcaktuara në këtë ligj, mbesin të njëjta, si në zgjedhjet e kaluara.
Të drejtë vote në zgjedhjet lokale në 38 komuna të vendit do të kenë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, 43 mijë e 993 janë votues prej jashtë shtetit.




