Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar fluturimet e dronëve nga Serbia në pjesën veriore të vendit.
Ai ka bërë me dije se policia është në kontakt me KFOR-in për këtë çështje.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet” – ka thënë Hoxha.
Ai theksoi se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it” – është shprehur Hoxha, raporton Ekonomia Online.




