Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton fermerët se, pas kontrolleve të vazhdueshme, është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e ruminantëve të vegjël) në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.
Pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes, Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast me PPR në një fermë dele në këtë fshat.Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.
Megjithatë, ajo shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ka ndikim të rëndë në ekonominë blegtorale.Masat që ka marrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për parandalimin e përhapjes së PPR-së janë: kontrolli dhe mbikëqyrja e vazhdueshme në zonën e prekur, asgjësimi i kafshëve të prekura, kufizimi i lëvizjes së kafshëve në zona të tjera, si edhe njoftimi dhe bashkëpunimi me fermerët lokalë.Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bën thirrje për fermerët dhe qytetarët që të kenë bashkëpunim të ngushtë me shërbimet veterinare. Në momentin që identifikohen shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme, duhet të raportojnë menjëherë te organet kompetente.Për fermerët: Respektojini masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre.Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të parandalojmë përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe të mbrojmë blegtorinë tonë.




