Kosova tash e disa muaj po përballet me mungesë të institucioneve dhe nëse deri në dhjetor Kuvendi i Kosovës nuk arrin të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, vendi rrezikon të përballet me një krizë financiare, që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovën e pasluftës.
E ndërkohë disa komuna nuk po arrijnë që të miratojnë buxhetet e tyre në Kuvendet Komunale, kjo edhe si shkak i zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor, pasi që buxhetet do duhej miratuar deri më 30 shtator.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Ekonomia Online tregoi se kanë kërkuar në Ministrinë e Financave që t’u lejohet komunave miratimi i buxhetit pas afatit ligjor, pasi që sipas tyre, do ishte më mirë që kryetarët e ardhshëm dhe anëtarët e kuvendeve komunale t’i miratojnë dhe të punojnë me ato buxhete vitin e ardhshëm.
Ibrahimi paralajmëroi se mosmiratimi i buxheteve në kohë sjell pasoja ligjore dhe financiare dhe se rreziku më i madh lidhet me buxhetin e përgjithshëm të Kosovës.




