Kosova po shënon një moment të rëndësishëm në fushën e muzikës duke u bërë për herë të parë pjesë e Konferencës Evropiane të Xhazit, që është ngjarja më e rëndësishme për xhazin dhe muzikën kreative në Evropë.
Kjo është arritur falë festivalit ‘Mitrovica International Jazz Days’, i cili ka marrë ftesë të veçantë nga Karolina Juzwa, presidente e rrjetit prestigjioz Europe Jazz Network për të qenë pjesë e kësaj konference.
“Ftesa e veçantë erdhi nga Karolina Juzwa, presidente e Europe Jazz Network, së cilës i shprehim mirënjohjen më të thellë për mikpritjen dhe përkrahjen. Është një nder i jashtëzakonshëm të përfaqësojmë Kosovën në këtë platformë ndërkombëtare prestigjioze dhe të krijojmë lidhje të reja përmes fuqisë së muzikës”, thuhet në njoftimin e “Mitrovica International Jazz Days’.
Konferenca Evropiane e Xhazit mbledh çdo vit dhjetëra përfaqësues të festivaleve, institucioneve dhe organizatave muzikore nga e gjithë bota, duke krijuar mundësi unike për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe promovim të kulturës muzikore.




