Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lászlo István Dux.
Nga zyra e kryetarit njoftojnë se me të është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Kryetari Basha dhe ambasadori Dux zhvilluan bisedë përmbajtjesore për bashkëpunimin e mirë mes popujve dhe institucioneve të të dyja shteteve, me theks të veçantë në rritjen e ndërveprimit në nivel të komisioneve të përbashkëta”, thuhet në komunikatën për media.
Kryetari Basha falënderoi ambasadorin hungarez për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe njëkohësisht shprehu mirënjohjen për shërbimin në funksion të paqes dhe sigurisë nga trupat hungareze në kuadër të KFOR-it.
Në takim u diskutua gjithashtu për Programin e Bursave “Stipendium Hungaricum”, i cili ka hapur horizonte të reja në rrugëtimin profesional dhe akademik për studentët tanë dhe po ndërton ura miqësie përmes njohjes së kulturave dhe traditave të vendeve tona.
“Qëndrimi ynë i përbashkët është se Kosova dhe Hungaria do të vazhdojnë ta thellojnë partneritetin në shërbim të stabilitetit rajonal dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi kryetari Dimal Basha.





