Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas publikimit të një audio-incizimi ku përmenden miliona euro dhe prona të Komunës, tha se nuk shantazhohet dhe se incizimi është i prerë dhe i sakatuar, raporton Ekonomia Online.
Në konferencë për media, Lladrovci tha se vendimet i merr gjykata dhe se komuna i ndjek procedurat ligjore. Ai shtoi se çdo marrëveshje për pronat duhet të kalojë përmes Kuvendit të Komunës.
“Krejt problemi i auto-incizimit është kjo pronë ku pronarët kanë provuar të më shantazhojnë, për fat të keq kanë gjetur njeriun e gabuar, se unë nuk shantazhohem. Çfarëdo marrëveshje që kisha bërë me pronarin pa kaluar në Kuvendin e Komunës nuk kishte mundur të jetë e zbatueshme. Nuk mundemi pronën me 10 ari sepse kam 10 hektarë e 32 ari pronë për të cilën kemi plan ndërtim të lartë. Ne i kemi thënë edhe atij që e ka publikuar video-incizimin, është i prerë e i sakatuar dhe ftojmë të kërkojë video-incizimin e plotë të atij që ka incizuar. Ne jemi në proces hetimor”, tha Lladrovci.




