Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja në vend.
Orav ka theksuar se po analizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila të mërkurën konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
“Ne, ashtu si njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë edhe bashkësia ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit dhe ne po e analizojmë për momentin. Por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të ketë një qeveri me mandat të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur.”, ka thënë Orav për mediat.
Kur u pyet për mesazhin drejtuar partive politike, Orav u shpreh: “Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni qeverinë”.




