Dëshmitari i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Jock Covey ka vazhduar dëshminë e tij në Gjykatën e Hagës.
Në ditën e dytë, ish-zëvendëshefi i UNMIK-ut, Covey, u pyet për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ai u përgjigj se nuk e dinte rolin e tyre.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Covey deklaroi se nuk e di se kush ishin themeluesit e UÇK-së dhe nuk ka dijeni mbi rolin e Hashim Thaçit gjatë Marrëveshjes së Rambujesë, si dhe në çfarë cilësie ai ishte ftuar.
“Nga historia e di se në përfundim të Rambujesë, Thaçi ishte caktuar si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Unë, siç e thash, isha i përfshirë në Universitet dhe nuk e di se në çfarë cilësie ishte ftuar apo cili ka qenë roli i tij gjatë diskutimeve të mbajtura në Rambuje”, tha ai.
Covey gjithashtu deklaroi se e ka ditur që Thaçi ishte ai që nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë. Përveç kësaj, ai mohoi të ketë dijeni për themeluesit e UÇK-së.




