Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, sot priti në një takim pune një delegacion të bizneseve nga Arabia Saudite, në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në Kosovë.
Gjatë takimit, drejtori Llugaliu u shprehu mirëseardhje mysafirëve dhe prezantoi Doganën e Kosovës si një institucion kyç që luan rolin e urës lidhëse në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Ai potencoi se intensifikimi i shkëmbimeve tregtare me Arabinë Saudite është një mundësi e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe për thellimin e partneritetit mes sektorit privat dhe institucioneve tona.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e delegacionit nga Arabia Saudite theksuan përkushtimin e tyre për të avokuar në krijimin e lehtësirave tregtare dhe për eliminimin e barrierave që mund të pengojnë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Në këtë takim mori fjalën edhe drejtori i Odës Ekonomike për Bashkëpunim Ndërkombëtar, i cili theksoi se Kosova dhe bizneset vendore kanë nevojë për partneritete të reja ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë vizitë si një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve sa më të favorshme për zhvillimin e tregtisë së lirë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.





