Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar protestat studentore, duke thënë se ato protesta që ndodhën 28 vjet më parë i paraprinë dhe iu bashkuan luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Protestat studentore të kthyera në demostrata popullore, i paraprinë dhe iu bashkangjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999”, ka shkruar Kurti.
Tutje kryeministri në detyrë shkruan se si sot, 28 vite më parë, mijëra njerëz nga e tërë Kosova, u bënë bashkë në një nga demostrimet më masive të vullnetit politik të shqiptarëve në historinë moderne të Kosovës. Atë ditë, më 1 tetor 1997, pas gjashtë vitesh të kaluara pa protesta dhe demostrata, mijëra qytetarë të Kosovës iu bashkuan protestës paqësore të thirrur nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP), kundër shtypjes, dhunës dhe segregimit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.





