Misioni i OSBE-së në Kosovë ka riafirmuar mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se vendimet e saj duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, pa ndikuar apo ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në punën e saj. Në reagim OSBE-ja ka theksuar se pavarësia e institucioneve gjyqësore është një gurthemel i shoqërisë demokratike.
“Përpjekjet për të politizuar punën e Gjykatës dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, e dëmtojnë besimin e publikut në institucionet e Kosovës, e gërryejnë sundimin e ligjit dhe mund të vënë në pikëpyetje zhvillimin demokratik të vendit. Misioni i OSBE-së nënvizon se pavarësia e gjyqësorit është një domosdoshmëri për demokracinë”, thuhet në reagim.
Tutje OSBE-ja ka theksuar se përfaqësuesit politikë dhe institucionet kanë përgjegjësi për të respektuar autoritetin e Gjykatës, duke forcuar besimin e publikut në kornizën kushtetuese të Kosovës dhe në systemin e drejtësisë në përgjithësi.
Ky reagim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të martën konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar dhe se duhet të zgjidhet një nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Deputetëve iu dha afat prej 12 ditësh nga publikimi i aktgjykimit për ta përfunduar konstituimin, vendim që u mor pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe.




