Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë sekuestruar 7 motoçikleta në afërsi të shkollave. Drejtoria Rajonale në Prizren, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Siguria në shkolla”, ka intensifikuar aktivitetet parandaluese që nga fillimi i vitit shkollor, me qëllim të rritjes së sigurisë për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
Një ndër rreziqet e evidentuara është drejtimi i motoçikletave në afërsi të objekteve shkollore dhe në zona me frekuentim të lartë të nxënësve. Me qëllim të parandalimit të incidenteve dhe rritjes së sigurisë, patrullat policore të Stacionit Policor në Prizren kanë ndërmarrë kontrolle të rregullta ndaj drejtuesve të motoçikletave.
Gjatë këtyre kontrolleve:
• Janë shqiptuar gjoba ndaj kundërvajtësve për shkelje të rregullave të trafikut.
• Janë sekuestruar 7 (shtatë) motoçikleta, kryesisht për mungesë të regjistrimit adekuat dhe drejtim pa patentë shofer.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët në përgjithësi, duke vazhduar me aktivitete të përditshme në terren.





