Policia e Kosovës ka njoftuar se sot drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, me bashkëpunëtorët e tij, priti në një takim zyrtar kryeprokurorin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) z. Altin Dumani, nga Republika e Shqipërisë.
Drejtori Hoxha fillimisht i dëshiroi mirëseardhje z. Dumani dhe njëherit e njoftoi për punën, angazhimet profesionale të PK-së kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për bashkëpunimin që PK-ja ka me autoritetet e Shqipërisë.
Në anën tjetër z. Dumani falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësoi lart gatishmërinë për të ndarë përvoja dhe ide të vlefshme me interes të përbashkët.
Të dy palët u zotuan se do të vazhdojnë angazhimin me seriozitet dhe përkushtim, duke identifikuar mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim të ndërsjellë.





