Nga sot do të fillojë zyrtarisht fushata e sensibilizimit për kancerin e gjirit në Kosovë, si pjesë e muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për këtë sëmundje.
Numri i rasteve të reja me kancer të gjirit në periudhën janar- shtator të këtij viti, rreth 330, është numër i përafërt me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, vlerësoi se Kosova shënoi për herë të parë një stabilitet sa i përket numrit të rasteve të reja me kancer të gjirit, duke e quajtur zhvillim pozitiv.
“Këtë vit në Kosovë, në nëntëmujorin e parë 2025, ne kemi regjistruar në regjistrin klinik të kancerit rreth 330 femra me kancer të gjirit, që është numër i njëjtë përafërsisht me vitin 2024. Shpresojmë që deri në fund të vitit të mos jetë më i lartë sesa që ishte në vitin 2024. Me këto shifra, Kosova shënon për herë të parë një stabilitet sa i përket numrit të rasteve të reja me kancer të gjirit. Shpresojmë që viteve në vazhdim ky trend të mbahet dhe, normalisht, së fundi të mund të diagnostikohen sa më herët, në mënyrë që format e hershme të sëmundjes të jenë suksesi i mjekimit më të madh”, tha Kurtishi.
Ai tek flet për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm bën thirrje për më shumë vetëdijesim dhe kontrolle të rregullta, sidomos mamografi një herë në vit.
Kurtishi vë në dukje se grupmosha më e prekur mbetet 50–60 vjeç, por vërehet një rritje e rasteve edhe te moshat nën 50 vjeç.




