Jock Covey, ish-zëvendësi i Bernard Kouchner-it, ka dëshmuar sërish në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke folur këtë herë për krijimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe pozicionin e ndërkombëtarëve ndaj kësaj strukture.
Dëshmitari amerikan theksoi se Hashim Thaçi nuk kishte ndonjë rol në TMK në fazën e saj fillestare dhe se qëllimisht nuk i është dhënë as përshtypja se ai kishte ndonjë lidhje me të.
“Në atë kohë, Agim Çeku ishte komandant i TMK-së, teknikisht. TMK-ja ishte ende në krijim e sipër, dhe Çekut kur i bëra presion që të ndërmerrte disa veprime, ma rikujtoi që TMK-ja ishte në krijim e sipër”, tha Covey.
Ai shtoi gjithashtu se përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork kishin qenë shumë skeptikë dhe kundër formimit të TMK-së.
“Ky ishte një formalitet në vetvete ndonëse Nju Jorku priste që ne të përcillnim të njëjtën porosi të të dy udhëheqësve, por e kishim të qartë që Nju Jorku ishte shumë kundër TMK-së, ju desh shumë kohë atyre në Nju Jork që ky ishte një veprim me shumë mend, pra i zgjuar”, theksoi ai.




