Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, 30 vjeçe, raportohet se ka pësuar një lëndim trupor gjatë turneut të saj në Amerikë dhe ka pasur nevojë të kontrollohet nga një radiolog para se t’i jepet drita jeshile për të vazhduar performancat.
Fansat u alarmuan kur e panë këngëtaren me shenja të errëta në shpatull, duke ngritur shqetësime se mund të kishte dëmtuar rëndë veten, shkruan DailyMail.
Megjithatë, sipas gazetës The Sun, Dua ka marrë lejen për të vazhduar turneun pas kontrollit mjekësor dhe pasi dëmtimi ka ndodhur gjatë disa momenteve të pushimit nga performancat.
Një burim pranë saj tha se këngëtarja i është nënshtruar trajtimeve të fizioterapisë për rikuperim të plotë, por turneu do të vazhdojë pa ndërprerje.
“Lëndimi ndodhi gjatë një kohe pushimi nga turneu. Ka qenë e dhimbshme, por pas kontrollit nga radiologu, i është dhënë drita jeshile. Turneu do të vazhdojë ashtu siç ishte planifikuar. Thjesht një prej këtyre situatave”, tha burimi.
Përveç sfidave shëndetësore, së fundmi u bë e ditur se Dua Lipa ka ndarë rrugët me agjentin e saj, David Levy, pas përfshirjes së tij në një fushatë kundër grupit pro-palestinez “Kneecap”, pasi ai thuhet se synonte të ndalonte performancën e tyre në festivalin Glastonbury, duke pretenduar se grupi po ushqente antisemitizmin.




