Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim një delegacion të drejtuesve të institucioneve të zbatimit të ligjit nga shteti amerikan i Iowas, kryesuar nga Dennis McDaniel, shef i policisë së qytetit të Johnstonit.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se ministrja e ka njoftuar delegacionin amerikan për progresin e vazhdueshëm të Kosovës në fushën e rendit dhe ligjit, progres i konfirmuar edhe nga raportet ndërkombëtare që e vendosin Republikën e Kosovës në krye të renditjeve në Evropë dhe më gjerë sa i përket sigurisë.
Në takim, Gërvalla ka shprehur gjithashtu mirënjohjen e përhershme të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të miqve amerikanë në nivel qendror e lokal.
Po ashtu, ajo ka falënderuar përzemërsisht Gjeneral Majorin në pension, Timothy Orr, për përkushtimin e tij dhe ka shprehur mirënjohje për Gardën Kombëtare të Iowas për kontributin në ndërtimin e kapaciteteve dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.





