Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në ceremoninë e Ndërrimit të Komandës në Shtabin e KFOR-it, ka ripërsëritur synimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se kjo aspiratë nuk është vetëm strategjike, por përfaqëson identitetin e vendit.
“Sot por edhe historikisht, populli i Kosovës gjithnjë është rreshtuar me vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë së përbashkët. Kjo është arsyeja pse aspirata jonë për tu anëtarësuar në NATO nuk është vetëm një zgjedhje strategjike, por pasqyrë e asaj se kush jemi”, theksoi Osmani.
Ajo nënvizoi se në një kohë kur kërcënimet ndaj paqes po shtohen, aleanca është më e fortë kur qëndron përkrah partnerëve të përkushtuar, siç është Kosova.
Duke folur për sfidat që i kanosen shtetit, Osmani paralajmëroi për përpjekje të disa vendeve që, siç tha ajo, synojnë të zhbëjnë të arriturat e Kosovës dhe ta kthejnë vendin pas në kohë.
“Ka vende të cilat përpiqen që të zhbëjnë gjithçka ka arritur Kosova, dhe duan që vendin ta kthejnë në të shkuarën. Partneriteti s’mund tu jepet atyre që kryejnë agresione ndaj fqinjëve. Vetëm nëpërmjet qëndrueshmërisë dhe qartësisë mund ta mbrojmë paqen, stabilitetin dhe të ardhmen që e duam të gjithë.”
Ajo përfundoi duke theksuar se vlerat mbi të cilat është ndërtuar Kosova janë të njëjta me ato të NATO-s dhe aleatëve perëndimorë.




