Prokuroria e Specializuar e Hagës ka refuzuar pranimin e disa provave materiale të mbrojtjes së Jakup Krasniqit të cilat kanë të bëjnë me krimet e forcave serbe në Kosovë.
Madje, hedhja poshtë e dokumenteve dhe raporteve të prezantuara është bërë me një shpërfillje dhe terminologji të rëndë kundrejt këtyre ngjarjeve, që përfshinë masakrat ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës.
Për shembull, “të parëndësishme” i ka quajtur Prokuroria Speciale masakrat e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve në Rahovec.
“Pika 11 duhet të mos pranohet për shkak të mungesës së rëndësisë. Trupi Gjykues e ka bërë të qartë se krimet ose dhuna e kryer nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme. Pika 11 është një dokumentar i BBC-së, tërësisht mbi krimet serbe të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës në zonën e Rahovecit në vitin 1998. Videoja përmban pamje grafike të viktimave të këtyre krimeve dhe asnjë informacion që mund të jetë i rëndësishëm për ndonjë aspekt të çështjes, me përjashtim të një pjese të shkurtër, ndaj së cilës ZPS-ja nuk kundërshton”, tha Prokuroria.




