Në kuadër të përgatitjes së Zgjedhjeve Lokale, të cilat do të mbahen fundjavën e ardhshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me trajnimin e anëtarëve të Këshillave të vendvotimeve që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.
Programi trajnues do të zhvillohet në 38 komunat e Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim të përgatis më shumë se 15 mijë anëtarë me njohuri për detyrat dhe përgjegjësitë e tyre gjatë procesit zgjedhor.
Procedurat e votimit dhe numërimit në vendvotim; procedurat e Votimit të Personave me Nevoja të Veçanta dhe procedurat e votimit me kusht, janë çështjet thelbësore në të cilat do të përqëndrohet programi trajnues.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Këshilli i Vendvotim është përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.





