Sot është përuruar rrugën ndërkufitare Gorozhup – Pogaj, projekt ky që vie në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që kap vlerën prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra.
Pjesë mori edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti i cili e vlërsoi të rëndësishme rrugën për banorët e zonës, por shton edhe se sa rëndësi ka për turizmin malor e kulturor për dyja shtetet e të njëjtit komb.
“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare. Lidhja jonë me Shqipërinë, përveçse historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur”, ka njoftuar zyra e kryeminsitrit përmes komunikatës për media.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë, rrugën Kërstec-Pakishtë-Zapot, këtë rrugë të cilën po e përurojmë sot dhe rrugën Dobrunë-Blinishtë, e cila ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, tha se në këtë ditë solemne duke inauguruar këtë rrugë, ne hapim një kapitull të ri në dobi të kombit tonë.
Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, falënderoi kryeministrin Kurti për punën e bërë, duke thënë se sot Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, bashkimin e trojeve hasjane.





