Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me Admiral Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani vlerësoi lartë rolin e KFOR-it dhe angazhimin e parreshtur për garantim të paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës, ndaj në këtë kontekst, ritheksoi se marrëdhënia ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është jetike për misionin e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë në vend.
Presidentja theksoi gjithashtu se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, duke ndërtuar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke përmbushur të gjitha zotimet ndaj Aleancës.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe vendosmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm dhe aktiv i botës demokratike.




