Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Durrës të hënën për Samitin e Iniciativës Brdo-Brijuni, me temë kryesore perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, me një fokus të veçantë në Planin e Rritjes për rajonin.
Procesi Brdo-Brijuni është një iniciativë e përbashkët slloveno-kroate e nisur në vitin 2013, dhe anëtarët e saj janë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.
Siç raportohet nga agjencia sllovene STA, samiti në Durrës po organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Millanoviq, dhe do të drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
STA raporton se udhëheqësit e tjerë të rajonit kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre në takimin në Shqipëri – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ai malazez Jakov Millatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, Presidentja maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova, dhe Presidenti serb Alleksandar Vuçiq, njoftoi zyra e presidentit slloven.
Iniciativa Brdo-Brijuni synon të inkurajojë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt BE-së. Takimi i këtij viti do të mbahet nën moton
“Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”. Përveç çështjes së perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të përqendrohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, njoftuan organizatorët.




