Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në mbyllje të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit në Durrës, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal, forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe përmirësimin e sigurisë.
Presidenti shqiptar tha se së bashku me liderët e tjerë të rajonit kanë diskutuar për sfidat gjeopolitike dhe për domosdoshmërinë e krijimit të kushteve për të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen në vendet e tyre.
“Diskutuam për rrugët e bashkëpunimit rajonal, me qëllim krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin tonë, në vendet e tyre. Në këtë kuadër, vlerësojmë veçanërisht takimin e drejtorëve të agjencive kombëtare të punësimit…”, tha Begaj.
Begaj foli edhe për objektivat konkrete të Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, duke përcaktuar afate të qarta.
“Aspirata e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar. Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.”
Në përmbyllje, ai falënderoi liderët e Kroacisë dhe Sllovenisë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme drejt rrugëtimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit.




