Ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe ajo e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, kanë nisur një vizitë treditore në Shqipëri dhe në Kosovë, që do të përqendrohet në mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimin e një burgu në njërin prej këtyre shteteve.
Kjo vizitë e dy ministreve belge do të përqendrohet në fuqizimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, rimarrjen e aseteve kriminale jashtë vendit dhe trajtimin e mbipopullit në burgjet belge dhe migrimit.
Ministret, sipas DeMorgen, që janë nisur sot drejt Shqipërisë, do të insistojnë që Tirana zyrtare të pranojë rikthimin e shtetasve të saj që mbahen në burgjet belge.
Në Kosovë do të zhvillohen bisedime për nënshkrimin e një traktati për ndihmë juridike, i cili, sipas Belgjikës do të synojë të forcojë në mënyrë strukturore bashkëpunimin për çështjet penale.
Kosova veçse ka një marrëveshje për dhënien me qira të qelive me Danimarkën. Të burgosurit e parë nga ky shtet do të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prill të vitit 2027.
Marrëveshja dhjetëvjeçare parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez. Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vjet pasi ajo ishte nënshkruar.




