Kombëtarja e Kosovës po përgatitet për ndeshjet kualifikuese kundër Sllovenisë në shtëpi dhe Suedisë në udhëtim në kuadër të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.
Për sfidat e tetorit, menaxheri i kombëtares Bajram Shala ka lajmëruar për disa mungesa në formacion.
Sipas Shalës për shkak të lëndimeve mungojnë pesë futbollistë: kapiteni Amir Rrahmani, Florent Hadërgjonaj, Leart Paqarada, Vesel Demaku dhe Baton Zabërgja.
Mungesa të tjera sipas Shalës janë edhe Lumbardh Dellova, gjendja e së cilit do të vlerësohet në ditët në vijim dhe Florent Haxha i cili nuk ka udhëtuar me kombëtaren për shkak të një problemi shëndetësor.
Shala ka shtuar se ka një arritje të re në kampin e Dardanëve dhe bëhet fjalë për Albian Hajdarin i cili para pak ditësh refuzoi kombëtaren e Zvicrës për të luajtur për Kosovën.
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme në këtë tetor, kundër Sllovenisë 10 tetor dhe kundër Suedisë më 13 tetor.
Kosova në grupin e kualifikimeve gjendet në vendin e dytë me 3 pikë me një fitore dhe një humbje.




