Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, tentoi të prishte takimin e Samitit Brdo-Brijuni, i cili u mbajt në Durrës.
Sipas Osmanit, presidenti serb Aleksander Vuçiq i’u drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me tentim që ta prishte takimin.
“Ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumentet në anën e së drejtës, dhe argumentet të cilat janë fuqizuar dhe mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare nëpërmjet gjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.”, tha presidentja.
Osmani shtoi se Kosova është për bashkëpunim rajonal, por do të mbrojë interesat e saj shtetërore:
“Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por në të njëjtën kohë do ta mbrojmë interesin tonë shtetëror, do të mbrojmë sovranitetin tonë, integritetin tonë territorial, edhe pse Vuçiqi kishte ankesa për paktin tonë Kosovë-Shqipëri-Kroaci në fushën e mbrojtjes, ajo mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë dhe përgjigja ime ishte për historinë e ekzistencës tonë si komb ne asnjëherë s’e kemi sulmuar askënd, s’e kemi pushtuar askënd, por kemi mbrojtur veten.”




