Ashtu si zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt të këtij viti, edhe në Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë kamera regjistruese në çdo vendvotim në vend.
Lajmin e ka konfirmuar Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se kamerat do të përdoren jo vetëm në vendvotime, por edhe në të gjitha hapësirat ku zhvillohet procesi i numërimit të votave, siç janë: Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
“Numri i vendvotimeve ku do të zhvillohet procesi i votimit më 12 tetor dhe që do të mbulohen me kamera regjistruese është 2,625, në 2,571 prej të cilave do të bëhet numërimi i fletëvotimeve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Gjithashtu, do të mbulohen qindra tavolina numërimi në 38 Qendra Komunale të Numërimit dhe dhjetëra të tjera në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Elezi.
Ai theksoi se kamera të njëjta janë përdorur edhe në zgjedhjet e muajit shkurt dhe do të rikthehen për të njëjtin qëllim: garantimin e sigurisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.
Zëdhënësi i KQZ-së siguroi se pozicionimi i kamerave nuk do të cenojë aspak fshehtësinë e votës.
KQZ ka bërë të ditur se këto masa janë pjesë e përpjekjeve për të garantuar transparencë, besueshmëri dhe siguri në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.




