Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se katër të akuzuarit kanë kryer krime që bien në juridiksionin e DhSK-së.Sipas vendimeve të marra më 3 tetor 2025, për katër të akuzuarit është konstatuar se ka rrezik qe ata t’i ikin drejtësisë, të pengojnë procedurat ose të kryejnë krime të tjera.
Për Thaçin thuhet se ndonëse rasti i Prokurorisë në gjykimin për krime lufte ka përfunduar, kjo nuk e shuan rrezikun e pengimit të procedurave. Përveç tyre, rreziku i pengimit të procedurave sipas gjyqtares ndërlidhet edhe me rastin aktual.Ngjashëm sikur për Thaçin, edhe për tre të akuzuarit e tjerë është thënë se asnjë masë alternative nuk i zbut rreziqet ekzistuese, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në vendim thuhet se dorëzania e ofruar nga Kilaj në shumën prej 40 mijë euro, e cila është ofruar edhe në shqyrtimet tjera periodike të paraburgimit, është refuzuar. Kjo, thuhet se ka ndodhur me arsyetimin se mbrojtja nuk ka arritur që të shpjegojë se si një propozim i tillë e zbut ose eliminon rrezikun e arratisjes.
Argumenti i mbrojtjes se Kilaj nuk do e rrezikonte largimin nga familja e të arratiset, sipas gjyqtares së procedurës paraprake, është spekulativ.Në anën tjetër, mbrojtja e Hajredin Kuçit përmes avokatit Alexander Admiraal, ka bërë të ditur se në fillim të vitit 2026 janë të gatshëm për gjykim në këtë çështje.




