Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po përballet me presion të madh për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare ose për të dhënë dorëheqje, pasi ish-aleatët e tij po i bashkohen kundërshtarëve duke kërkuar që ai të veprojë për t’i dhënë fund krizës politike në rritje në vend, raporton të mërkurën “The Guardian”.
Kryeministri i parë gjatë mandatit të Macronit, Edouard Philippe, i kërkoi të martën atij të japë dorëheqje, mes shqetësimeve për periudhën më të vështirë të kaosit politik në Francë që nga themelimi i Republikës së Pestë në vitin 1958.
Philippe, që ka shërbyer si kryeministër nga viti 2017 deri në 2020 dhe tani udhëheq një parti aleate me Macronin, tha se presidenti duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme presidenciale sapo të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm.




