Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar Forumin Ekonomik “Doing Business with Finland”, ku është nënshkruar edhe marrëveshja e bashkëpunimit me Finland Partnership, një mekanizëm që do të mundësojë dhe inkurajojë bashkëpunimin ekonomik me mbështetje konkrete, raporton Ekonomia Online.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, ka theksuar se Kosova dhe Finlanda ndajnë të njëjtat vlera, duke theksuar se partneriteti ekonomik ndërtohet mbi inovacion, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Finlanda dhe Kosova ndajnë shumicën e vlerave tona — madje do të thosha, pothuajse të gjitha. Si diplomate, është e rrallë që ta them këtë kaq hapur, por jam shumë e lumtur të theksoj se edhe në fushën e biznesit, vlerat tona janë të njëjta: inovacioni, transparenca dhe përqendrimi në rritje të qëndrueshme afatgjatë,” tha Laaksonen.
Ambasadorja finlandeze e quajti forumin “një takim shpirtërash”, ku takohen ekspertiza dhe energjia e dy vendeve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se Kosova ofron mundësi të mëdha për partneritet strategjik me Finlandën, veçanërisht në sektorin e teknologjisë dhe industrisë minerare.
Ai njoftoi se Oda Ekonomike e Kosovës po planifikon organizimin e një misioni biznesi në Finlandë për të zgjeruar mundësitë për bizneset kosovare.
“Me rritjen e besimit dhe suksesit që po shohim, padyshim do të planifikojmë hapin e ardhshëm – organizimin e një misioni biznesi në Finlandë dhe identifikimin e mundësive të tjera për bizneset kosovare atje”, theksoi ai.




