Në kuadër të pastrimit të regjistrit kombëtar nga mjetet jashtë qarkullimit, të papërdorshme dhe ndotëse për mjedisin, janë çregjistruar në mënyrë të përhershme 6 128 mjete, me një moshë mesatare prej 22 vitesh.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë rrugore, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe modernizimit të flotës së mjeteve në vend.
“Pastrimi i regjistrit nga mjetet e vjetra dhe ndotëse është një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë në rrugë dhe për të mbrojtur mjedisin. Ky është një angazhim konkret për një Shqipëri më të pastër dhe më të sigurt”, u shpreh Balluku transmeton RTSH.
Paralelisht me këtë proces, qeveria ka nisur punën për lirimin e hapësirave publike që prej vitesh janë zënë nga mjete, të cilat janë shndërruar në vatra ndotjeje dhe burim shqetësimi mjedisor në disa zona të vendit.




