Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë sot ka nisur gjykimi fillestar ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe Urosh Vukasinoviq, të cilët akuzohen se kanë nxitur protestuesit që të sulmonin gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023.
Të akuzuarit Simiq dhe Vukasinoviq janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare, që u mbajt sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
“E nderuar gjyqtare, absolutisht nuk jam fajtor.”, u shpreh Simiq.
Ndërsa i akuzuari Vukasinoviq po ashtu mohoi veprën penale që i vihet në barrë.
“Nuk e pranoj fajësinë sepse jam i pafajshëm.”
Të dy të akuzuarit ngarkohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për nxitje të dhunës ndaj gazetarëve të mediave të Kosovës gjatë protestave në Leposaviq, ku u plagosën disa përfaqësues të mediave dhe u shkaktuan dëme materiale në pajisje dhe automjete të tyre.
Seanca ishte planifikuar të mbahej më 18 shtator, por ishte shtyrë për shkak të mungesës së shkresave të lëndës për të akuzuarin Slavko Simiq dhe mbrojtësin e tij.




